I nxehti afrikan e ka vendosur Shqipërinë në temperatura ekstreme, të cilat kapin edhe limitet e 43 gradë Celsius. Teksa e enjtja dhe e premtja e bëri thuajse të pamundur qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në rrugë, kjo për shkak të të nxehtit të papërballueshëm, ekspertët parashikojnë se është rritur edhe risku i zjarreve për shkak të temperaturave të larta. Instituri i Gjeoshkencave ka ngritur kambanën e alarmit për disa qarqe të cilat kanë probabilitet të lartë të kthehen në vatra zjarri përgjatë këtyre ditëve. Elbasani, Fieri dhe Berati ndodhen në fashën e kuqe si qytetet më të riskuara përsa i përket mundësisë së rënies së zjarrit për shkak të temperaturave ekstreme. Ndërkohë në qarqet e tjera si Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër e Dibër ka një rrezik të moderuar, që i nxehti afrikan të kthehet në zjarrvënësin e mjediseve të këtyre qarqeve.