Pas shtimit të kontrolleve me dron për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në kuadër të planit operacional “Koordinata”, Komisariati i Policisë Gjirokastër ka zbuluar përmes pamjeve, një rast të kultivimit të hashashit brenda oborrit të një banese në fshatin Lazarat. Uniformat blu kanë vënë në pranga 55-vjeçarin Xhevair Çelo për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". Sipas policisë, 55 vjeçari kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij në Lazarat. Policia njofton se një pjesë e bimëve, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar nëpërmjet djegies. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.