Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim rreth orës 11:30 të së mërkurës flakët janë riaktivizuar. Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit. Flakët kanë qëndruar aktive për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha. Shefi i zjarrfikësve, Luan Kapaj shprehet se situata po monitorohet me kujdes, pasi riaktivizimi i vatrave të tjera mund të ndodhë nga momenti në moment për shkak të erës. Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe ka vështirësi për ndërhyrje.