Reshjet e dendura të shiut prej më shumë se 24 orësh kanë shkaktuar probleme në Kukës dhe Tropojë. Në aksin rrugor Kukës–Shishtavec janë regjistruar rrëshqitje të gurëve të mëdhenj në rrugë, ndërsa firma mirëmbaktëse ka ndërhyrë me mjete të rënda për largimin e tyre dhe normalizimin e qarkullimit. Të gjitha akset nacionale në Qarkun e Kukësit vijojnë të jenë të qarkullueshme, ndërsa situata mbetet nën monitorim. Probleme janë shkaktuar edhe në Lekbibaj të Tropojës. Rritja e nivelit të lumit të Currajve ka sjellë dëmtime në urën e Mërturit. Prurjet e fuqishme kanë prekur bazamentin, por edhe platformën e urës në pjesën e mesit, aty ku kalojnë këmbësorët dhe automjetet. Ndërkohë, është përmbytur edhe rruga drejt lagjes Hasaj.