Izraeli ka kryer sulmin më të madh ndaj Libanit që nga fillimi i luftës me Hezbollahun, duke vrarë të paktën 254 persona, në një sulm që i shtyu zyrtarët iranianë të paralajmërojnë se Teherani mund të tërhiqet nga armëpushimi i arritur me SHBA-në brenda natës. Avionët luftarakë rrafshuan disa ndërtesa në qendër të Bejrutit, duke mbushur qiellin me tym, në atë që ministri i mbrojtjes i Izraelit e quajti “një sulm i papritur” ndaj grupit pro-iranian Hezbollah. Kryeqyteti libanez ishte plot me makina të shkatërruara nga shpërthimet dhe rrënojat e ndërtesave në flakë që ekipet e ndihmës së shpejtë mezi i shuanin, ndërsa Izraeli bombardoi më shumë se 100 vende ushtarake të Hezbollahut në të gjithë vendin. Zyra e kryeministrit të Izraelit kishte thënë se armëpushimi dyjavor në Lindjen e Mesme “nuk e përfshin Libanin”, në kundërshtim me një deklaratë fillestare të bërë nga ndërmjetësi Pakistan. Rakan Nassereddine, ministri i shëndetësisë i Libanit, i tha Al Jazeera-s se 254 persona ishin vrarë dhe 837 të tjerë ishin plagosur. Spitalet bënë një thirrje urgjente për dhurime gjaku, ndërsa ministria e shëndetësisë u bëri thirrje njerëzve të “pastrojnë rrugët” në mënyrë që ambulancat të mund të arrinin tek të plagosurit.