Kryetari i PD, Sali Berisha, në një videomesazh akuzoi kryeministrin Rama për mashtrime mbi rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke e cilësuar bonusin për pensionistët minimal dhe qesharak. Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t'ju bindë ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është që bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët. Janë 2 kile domate në muaj. Kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale. Përveç kësaj, rrogat sërish mbeten rrogat më të ulëta në rajonin tonë, ndërkohë që në vitin 2013, ato ishin rrogat më të larta të rajonit. Berisha fajësoi qeverinë se ka rritur emigrimin masiv të shqiptarëve.