Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në fokus të të cilit ishin sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit strategjik brenda Aleancës dhe roli i Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përbashkëta të mbrojtjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkërendimit me NATO-n në përballimin e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si sfida që kërkojnë një përgjigje gjithnjë e më të koordinuar mes vendeve aleate.