Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në mbështetje me forcat ‘Shpiponja’, kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në fshatin Trush në Shkodër. Policia ka arrestuar dy shtetas babë e bir, ndërsa kanë shpallur në kërkim edhe djalin tjetër 27 vjeç. Në pranga kanë përfunduar Çekë Malocaj 56 vjeç dhe Daniel Malocaj 22 vjeç. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, babai dhe dy djemtë, kishin kanosur me armë zjarri dhe çifte, një fqinjin e tyre, duke qëlluar në ajër, afër banesës për motive të dobëta. Uniformat blu kanë sekuestruar 2 armë gjahu çifte, që i kishin me leje, ndërsa po punojnë për gjetjen e armës së zjarrit. Materialet procedural për rastin iu referuan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.