Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur publikisht mbështetjen për Aleksandar Vuçiç, duke thënë se shpreson që ish-presidenti serb të bëhet kryeministër i Serbisë. Teksa foli në seancën plenare të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit “Valdai”, Putin vlerësoi politikën që Vuçiç ka ndjekur ndaj Moskës dhe gatishmërinë e tij për vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë. “Udhëheqja aktuale e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili deri vonë ishte president dhe, shpresoj, në të ardhmen do të jetë kryeministër, po ndjek një politikë të përmbajtur dhe po tregon dëshirë për bashkëpunim me Rusinë. Ne këtë sigurisht e mirëpresim dhe do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha presidenti rus. Putin nënvizoi si një prej pikave kryesore të raportit mes dy vendeve, vendimin e Beogradit për të mos iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës. “E mirëpresim qëndrimin shumë të përmbajtur të Serbisë për një sërë çështjesh kyçe dhe shumë të ndjeshme, si dhe refuzimin e saj për vendime që nënkuptojnë sanksione kundër Rusisë”, deklaroi Putin.