Radhën për t’u testuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore e kanë infermierët në kërkim të një vendi pune. Nuk janë pak, por 2779 profesionistë të shkencave teknike mjekësore, përfshirë fizioterapeutë, mami, teknikë imazherie e laboratori që janë regjistruar pranë “Infermierë për Shqipërinë” dhe janë në listë pritje për një vend pune. Ajo çka mundëson qeveria është filtrimi i më të mirëve, ose rankimi i tyre që bëhet në bazë të dosjes profesionale dhe rezultatit në testimin e dixhitalizuar që mbahet në Tiranë për të gjithë. QSHA ka caktuar marsin si muajin për testimin e tyre dhe po punon për kalendarin me datat dhe oraret përkatëse për kandidatët e regjistruar.