Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e sigurisë 30 ditë burg për pesë personat që u plagosën si pasojë e përplasjes me armë zjarri. Vendimi iu komunikua në ambientet e QKUK-së ku ata po marrin trajtim mjekësor. Seanca gjyqësore nda Salih Sekiraqës, Korab Gashit, Robert Llumnicës, Fatos Abazit dhe Valdrin Ademit u mbajt nën masa të rrepta sigurie sipas mediave të Kosovës. Ngjarja e rëndë me një viktimë e pesë të plagosur ndodhi mbrëmjen e të dielës, ku familja Sekiraqa u përfshi në një konflikt të armatosur me familjen Capa. Si pasojë humbi jetën Premtim Gashi. Lidhur me rastin hetuesit po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes, e cila dyshohet se erdhi si rrjedhojë e një konflikti të nisur disa muaj më parë mes Shkumbin Sekariqës dhe vëllait të viktimës, Pajtim Gashi me argumentin: “Pse më shikon shtrembër”. Konflikt që më pas pasoi dhe përplasjen e armatosur në lagjen Aktashi.