Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u ka dërguar kërkesë për marrje masash për shkeljet që po kryhen në terren, dy partive më të mëdha politike në vend: Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Kodi Zgjedhor e ndalon në mënyrë taksative afishimin e materialeve propagandistike në: fasadat e godinave të banimit, institucionet publike dhe ambjentet rreth tyre, parqet, zonat rekreative si dhe në shtyllat e ndiccimit. Në letrën drejtuar Partisë Demokratike, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kërkon heqjen e menjëhershmë të materialeve propagandistike të koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, nga fasada e Universitetit Politeknik të Tiranës. Nga ana tjetër e njëjta shkelje është kryer edhe nga Partia Socialiste. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar heqjen e dy materialeve propagandistike të cilat janë afishuar në Bashkinë e Gjirokastrës.