Prokuroria e Posaçme ka siguruar materiale shtesë në lidhje me dosjen e zhdukjes së Jan Prengës. Materialet lidhen me përgjimet SKY EÇ dhe përgjigjet që SPAK ka marrë nga partnerët europianë mbi identitetin e personave dhe kodet e përdorimit të tyre në këtë aplikacion. Për këtë arsye, prokuroria e Posaçme kërkoi në seancën e kësaj të mërkure në gjykatën e Apelit shtyrjen e procesit ndaj Festim Bixhdilit, kopshtari i kompleksit Golden, i dënuar fillimisht nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm për rolin që ka luajtur në rrëmbimin e Jan Prengës. SPAK tha para gjykatës se letërporositë lidhen me procesverbalin e identifikimit të kodit PIN në SKY të Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit dhe Altin Hajri. Prokuroria deklaroi se komunikimet lidhen me zhdukjen e Jan Prengës për të cilen akuzohet dhe Festim Bexhdili.