Shumë prej atyre që e kanë ndarë mendjen për t’u larguar nga ky vend, nuk lënë mënyrë pa sajuar e shuma të mëdha pa shpenzuar. Nuk janë të pakta rastet, kur shumë shqiptarë kapen ndërsa qëllimi i vetëm i tyre ka qenë kalimi për në Angli, Kanada, apo Amerikë. Dhe taktika e tyre është e thjeshtë. Ata përdorin dokumente të vërteta në pikat kufitare ajrore, apo tokësore në Shqipëri. Më pas nxjerrin dokumente false për të vijuar udhëtimin. Në aeroportin e Malpensës në Milano të Italisë, rastet me këtë fenomen janë shtuar shumë. Policët italianë kanë marrë udhëzime për këtë fenomen, aq sa që me dyshimin e parë nuk lejojnë asnjë kalim të tillë.