Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar për protestat e ditëve të fundit në Tiranë, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës. “Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe. Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë.” Peleshi u ndal edhe te përfshirja e të rinjve në protesta, duke shprehur shqetësimin për dhunën, djegiet dhe grabitjet, të cilat, sipas tij, po u atribuohen qëllimisht studentëve. Ai bëri thirrje që të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve të mbahen larg dhunës dhe të mos nxiten drejt urrejtjes apo përplasjeve në rrugë.