Talebanët nuk do të lejojnë zgjatjen e operacionit të evakuimit nga Afganistani përtej 31 gushtit. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i lëvizjes militante Zabihullah Mujahid tha se ka kohë të mjaftueshme për të larguar nga vendi të gjithë shtetasit e huaj para fundit të muajit. Sakaq, ai theksoi se talebanët nuk e mbështesin largimin e shtetasve afganë. Zëdhënësi njoftoi se nuk po lejonin më qytetarë afganë të shkonin në aeroportin e Kabulit, për shkak të situatës kaotike atje. Militantët u kërkojnë turmave të grumbulluara pranë zonës, të shkojnë në shtëpi. “U bëjmë thirrje amerikanëve: Mos i inkurajoni afganët të ikin. Ne na duhet talenti i tyre”, tha Mujahid. Më herët, mediat amerikane zbuluan se bashkëthemeluesi i levizjes dhe lideri politik, Abdul Ghani Baradar ishte takuar të hënën në Kabul me drejtorin e CIA-s, William J. Burns.