Agjencia e motit e Kombeve të Bashkuara tha se përqendrimet e gazrave serrë kanë shënuar rekord të ri vitin e kaluar, pavarësisht reduktimeve të përkohshme që janë bërë në fillim të pandemisë së koronavirusit. Në raportin e saj vjetor, të publikuar të hënën, Organizata Botërore Meteorologjike tha se niveli i gazrave në vitin 2020 është rritur me ritëm më të shpejtë se mesatarja vjetore në dekadën e fundit. Përqendrimet e dioksidit të karbonit, metanit dhe oksidit të azotit kanë qenë mbi nivelet e epokës paraindustriale - para vitit 1750 - kur njerëzit “kanë nisur të prishin ekuilibrin natyror të Tokës” me aktivitetet e tyre industriale, thuhet në raport.