Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 86 mijë e 984 lekë në tremujorin e fundit të vitit 2025, duke pësuar një rritje të lehtë prej 4.3 për qind krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pagat më të larta janë shënuar në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me pagë mesatare më shumë se 173 mijë lekë në muaj, pasuar nga informacioni dhe komunikacioni me pagë mesatare më të lartë se 130 mijë lekë në muaj. Sa i takon sektorit shtetëror, rritja më e madhe e pagave ka ndodhur tek forcat e armatosura, ku sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, pagat u rritën me 10.6 për qind. Shkalla e punësimit, gjatë muajve të fundit të 2025-ës, rezulton 58.5 për qind për qytetarët mbi 15 vjeç. Ky tregues është rritur me vetëm 0.9 për qind. Ndërkohë sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, papunësia ka rënë gjatë tremujorit të fundit të vitit që lamë pas duke arritur në 8.3 për qind.