Kosova e Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave pavarësisht takimit të gjatë në Bruksel. Lajmi u konfirmua nga i Dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimeve me delegacionet e të dyja shteteve të premten në Bruksel. Megjithatë, ai shton se ka pasur progres në temat tjera, përfshirë energjinë. Pala shqiptare dhe ajo serbe kanë diskutuar për targat, të zhdukurit e luftës dhe për energjinë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu shef i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, ka akuzuar palën serbe për keqpërdorim të takimeve në Bruksel.