Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 10 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. Për shuarjen e tyre janë angazhuar 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 mjete dhe një helikopter. Është fikur përfundimisht zjarri në Malin e Kulit në Shpirag, që ra mbrëmjen e së enjtes për shkak të shkarkesës së një rrufeje. Temperaturat e larta dhe era e fortë bëri që zjarri të përhapej me shpejtësi të madhe, duke e bërë të vështirë neutralizimin e tij në kohë. Përhapjen e flakëve e ndihmoi dhe pamundësia e futjes së mjeteve zjarrfikëse në këtë zonë malore, gjë që i detyroi zjarrfikësit të punonin me mjete rrethanore.