Pas disa ditësh në intubim në Spitalin e Traumës në Tiranë, këtë të martë të 3 nëntorit ka ndërruar jetë avokati Saimir Vishaj, i cili ishte transportuar më herët me urgjencë në spital pas rrëzimit nga shkallët e banesës, nga ku edhe pësoi dëmtime të rënda. Për shkak të gjendjes kritike, avokati ishte vendosur nën kujdesin e mjekëve dhe në intubim, por që fatkeqësisht nuk mundi t’i rezistojë gjendjes së rënduar shëndetësore. Saimir Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare, me një karrierë që nisi në vitin 1998, ndërkohë që prej vitit 2009 drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij, Vishaj mbajti edhe disa funksione të tjera të rëndësishme, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komitetit të Disiplinës dhe i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi.