Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u mblodhën të premten në Bruksel në ditën e dytë dhe të fundit të bisedimeve që u përqëndrua tek mbështetja edhe më e madhe për Ukrainën, në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus, si dhe masat për të garantuar sigurinë euro-atlantike. Pas sulmit ndaj gazsjellësit Nord Stream dhe frikës nga akte të mundshme sabotazhi nga ana e Rusisë, NATO ra dakord për krijimin e një qendre të re që do të ndihmojë në mbrojtjen e tubacioneve dhe kabllove nënujore perëndimore.