Luftanija ruse Moskva është fundosur në Detin e Zi, pas dëmtimeve që ka pësuar gjatë operacionit ushtarak në Ukrainë, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes në orët e vona të 14 prillit. Ministria ka thënë se anija është fundosur derisa ka qenë duke u tërhequr në port për t’i ikur një stuhie. Ky institucion ka thënë se anija është dëmtuar rëndë si pasojë e zjarrit, derisa zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat e tyre kanë goditur anijen me raketa. “Anija ka humbur balancën si pasojë e zjarrit dhe më vonë municioni ka shpërthyer”, ka thënë Ministria sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS. “Duke marrë parasysh detet e trazuara, anija është fundosur”.