Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua këtë të martë në Bruksel me Zv/Presidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas. Në një reagim në rrjetin social X, Ministri Hoxha theksoi se në takim rikonfirmoi linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. "Shqipëria mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat që qëndrojnë në themel të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duke kontribuar aktivisht në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e kontinentit evropian", u shpreh ministri Hoxha.