Rritja më e ndjeshme e kalimit të migrantëve të parregullt drejt vendeve evropiane u shënua në rrugën e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet në një raport të fundit të Organizatës evropiane për Ruajtjen e Kufijve, FRONTEX. Sipas raportit, numri i migrantëve të parregullt të evidentuar nga policitë kufitare dhe FRONTEX u trefishua në gjashtë muajt e parë të 2022, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2021. Rruga e Ballkanit Perëndimor me 55.321 kalime të paligjshme përbën gjysmën e të gjitha ndalimeve të migranëtve të parregullt drejt Evropës, që në total ishin 114.720. Sipas FRONTEX kombësitë kryesore në këtë rrugë përfshinin migrantë nga Siria, Afganistani dhe Turqia.