Afganistani dhe Pakistani ranë dakord për një armëpushim të menjëhershëm gjatë bisedimeve në Doha, thanë të dyja palët të dielën, pas një jave përleshjesh të ashpra kufitare, dhuna më e rëndë kjo mes fqinjëve në Azinë Jugore që kur talebanët morën pushtetin në Kabul në vitin 2021. Armëpushimi "është finalizuar", tha Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit në platformën X të dielën, duke shtuar se të dyja palët do të takohen përsëri më 25 tetor në Stamboll për të diskutuar "çështje të detajuara". Zëdhënësi i talebanëve tha në një deklaratë se palët ranë dakord për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm. Ministria e jashtme e Katarit, e cila ndërmjetësoi bisedimet e së shtunës së bashku me Turqinë, tha se takimet pasuese kishin për qëllim "të siguronin qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe të verifikonin zbatimin e tij në një mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme".