Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se vrasja e mbi 100 personave ndërsa ishin duke pritur ndihma humanitare në Gazë, është një situatë për të cilën mund të kërkohet hetim i pavarur. Ai tha se është i “shokuar” nga episodi i fundit në luftën izrael-Hamas, në të cilën, sipas autoriteteve palestineze janë vrarë mbi 30.000 njerëz. Duke iu përgjigjur pyetjeve për dështimin e Këshillit të Sigurimit për të miratuar një rezolutë që bën thirrje për armëpushim, Guterres tha se thellimi i ndasive gjeopolitike “e ka transformuar fuqinë e vetos në një instrument efektiv për paralizë të Këshillit të Sigurimit”.