Në fillimet e tranzicionit politik nisën të shfaqen dhe forcohen lidhje midis strukturave shtetërore dhe krimit të organizuar në vend. Kështu, embargoja ndërkombëtare e vendosur mbi ish-Jugosllavi në vitin 1992, u shfrytëzua si një mundësi e artë për të përfituar nga kontrabandimi përtej kufirit verior të Republikës së Shqipërisë. Elementë kriminalë, segmente të administratës shtetërore dhe politikanë nxituan të përfitonin sa më shumë dhe shpejt nga mundësia e paraqitur. Naftë, cigare, kafe, duralumin, gjë e gjallë dhe shumë mallra të tjera kontrabandoheshin çdo ditë gjithashtu përmes kufirit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqinë.