Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të mërkurën se fushata e përbashkët e bombardimeve me SHBA-në kundër Iranit do të vazhdojë "për aq kohë sa të jetë e nevojshme", duke këmbëngulur se sulmet kishin shkaktuar viktima të rënda në forcat e Teheranit. "Ky operacion do të vazhdojë pa asnjë kufizim kohor, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrijmë të gjitha objektivat dhe të vendosim për rezultatin e fushatës", tha ai, duke shtuar se udhëheqja iraniane po ikte "si minjtë në tunele". Katz tha se morgjet e spitaleve në Iran ishin plot, por këmbënguli se viktimat nuk ishin civilë. Ai shtoi se sulmet do të vazhdonin në Teheran dhe në të gjithë vendin "ditë pas dite, objektiv pas objektivi". Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë udhëheqësin e tij suprem dhe duke e zhytur Lindjen e Mesme në një luftë në zgjerim e sipër. Sulmet erdhën disa javë pasi autoritetet iraniane shtypën pa mëshirë protestat masive, megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli thonë se nuk po kërkojnë domosdoshmërisht të rrëzojnë republikën islamike. Katz tha se sulmet do të vazhdojnë "në mënyrë që populli iranian të ngrihet, të veprojë dhe të rrëzojë këtë regjim", duke shtuar se "në fund të fundit, kjo është diçka që varet prej tyre".