Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se lufta në Ukrainë do të përfundojë më shpejt pasi Donald Trump të bëhet president i SHBA. Komentet vijnë pasi Zelenksi i telefonoi Trumpit për ta uruar për fitoren e tij në zgjedhjet amerikane. Duke folur për transmetuesin publik ukrainas Suspilne, Zelensky tha: "Është e sigurt që lufta do të përfundojë më shpejt me politikat e ekipit që tani do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë. Kjo është qasja e tyre, premtimi i tyre ndaj qytetarëve të tyre." Zelensky shtoi se Ukraina "duhet të bëjë gjithçka për të siguruar që lufta të përfundojë vitin e ardhshëm përmes mjeteve diplomatike". Trump kishte thënë më parë se do t'i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orësh.