Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se SHBA-të kanë arritur pjesën më të madhe të objektivave ushtarake në konfliktin me Iranin, por operacionet pritet të vijojnë edhe për një periudhë të shkurtër. Sipas tij, administrata amerikane synon të sigurojë që kapacitetet e qeverisë iraniane të dobësohen në mënyrë të qëndrueshme, për të shmangur një përballje të re në të ardhmen. Ai theksoi se Uashingtoni nuk ka në plan një angazhim afatgjatë në Iran, duke lënë të kuptohet se ndërhyrja është e kufizuar dhe me objektiva të qarta, teksa pranoi se konflikti ka ndikuar përkohësisht në rritjen e çmimeve të karburantit, por shtoi se situata pritet të stabilizohet sapo operacionet të përfundojnë. Ndërkohë, në terren, Garda Revolucionare iraniane ka njoftuar se ka gjetur dhe çmontuar dhjetëra mjete shpërthyese në jug të vendit, të cilat sipas saj ishin hedhur gjatë sulmeve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit. Paralelisht, Teherani ka përjetuar një tjetër natë me bombardime intensive, duke rritur ndjeshëm pasigurinë te civilët.