BE ka paralajmëruar Serbinë se një varrim shtetëror apo pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë në ceremoninë mortore të Ratko Mlladiqit do të ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane. Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e Bashkimit Evropian, deklaroi se zyrtarët evropianë po ndjekin nga afër zhvillimet dhe po punojnë “në prapaskenë” lidhur me ceremoninë e varrimit të ish-komandantit serb të Bosnjës, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid. “Besoj se një varrim shtetëror do të ishte i papranueshëm. Sa kuptoj unë, nuk po organizohet një varrim shtetëror, por është krejt e mundshme që zyrtarë të lartë të pushtetit t’i bëjnë nderime atij personi. Edhe kjo është e papranueshme”, u shpreh Byrne. Ai theksoi se krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan gjatë viteve ’90 vazhdojnë të shkaktojnë dhimbje, veçanërisht për njerëzit e rajonit, ndërsa bëri thirrje që procesi i pajtimit në Ballkanin Perëndimor të vazhdojë.