Analistët financiarë parashikojnë që Leku do të ruajë pozita të forta ndaj Euros edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit të Euros për vitin 2022 zbriti në 119 lekë. Por, gjysma e dytë e vitit ka sjellë një tendencë të dukshme drejt një mbiçmimi më të lartë të monedhës vendase. Për tremujorin e fundit 2022, Euro u këmbye mesatarisht me 116.4 lekë, ndërsa për muajin dhjetor kursi mesatar ishte edhe më i ulët, në nivelin 114.9 lekë.