Për dy deputetët e Partisë Social-Demokrate, të cilët hoqën dorë nga mandati i deputetit, kanë filluar procedurat për plotësimin e vakancave. Kuvendi i komunikoi zyrtarisht Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve vakanca e krijuara pasi Tom Doshi dhe Sabina Jorgo vendosën të mos betoheshin në Kuvend dhe të hiqnin dorë nga mandati si ligjvënës. Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, kryesonin listën e sigurt të Partisë Social-Demokrate në qarkun e Shkodrës, ku ky subjekt politik siguroi dy mandate. Lista e Sigurt pasohet nga Osman Teta dhe Bledar Mezini. Me lënien e mandateve të Doshit dhe Jorgos, ju takonte dy emrave pasues të listës së sigurt që të merrnin mandatin e deputetit.