Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, thanë të premten se po vëzhgojnë nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse fuqia e tij potenciale nuk është ende e njohur. OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh të mutacioneve që mbart”, thuhet në buletinin e kësaj organizate për pandeminë. Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara, Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke vëzhguar variantin.