Franca mund të humbasë kryeministrin e tretë brenda një viti, pasi kryeministri aktual, François Bayrou ka kërkuar votëbesimin e Parlamentit, të cilin pritet ta humbë. Kjo situatë rrit rrezikun për paqëndrueshmëri politike dhe ekonomike në vendin e dytë më të madh të Bashkimit Evropian. Bayrou i emëruar nga presidenti Emmanuel Macron pak më shumë se nëntë muaj më parë, shpreson se votimi do të bashkojë deputetët e ndarë thellë në Asamblenë Kombëtare, pas kërkesave të tij për reduktimin e shpenzimeve publike. Bayrou ka nevojë për shumicën e votave për të qëndruar në post, por me mbi 320 deputetë nga ekstremi i djathtë dhe i majtë që kanë deklaruar se do të votojnë kundër tij, dhe vetëm 210 nga centristët dhe aleatët konservatorë që e mbështesin, mbijetesa e tij duket e pamundur.