Bashkimi Evropian po përgatitet për një tronditje afatgjatë në sektorin e energjisë si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar efektet e forta që konflikti po krijon. Sipas komisionerit për energjinë, çmimet pritet të mbeten të larta për një periudhë të gjatë, duke rritur presionin mbi ekonomitë dhe konsumatorët europianë. Ai theksoi se aktualisht BE-ja nuk ndodhet në një krizë të menjëhershme të furnizimit dhe nuk ka arritur ende në pikën ku nevojitet racionimi i produkteve kritike si karburanti për avionë apo nafta. Megjithatë, institucionet europiane janë në gatishmëri dhe po analizojnë të gjithë skenarët e mundshëm për përkeqësim të situatës. Sipas tij, aleanca po përgatitet për skenarët më të këqij, duke shqyrtuar masa si lirimi i rezervave strategjike të naftës dhe, nëse situata përshkallëzohet, edhe kufizime në përdorimin e karburanteve. Ndërkohë, BE-ja më herët ka sugjeruar edhe masa kursimi për qytetarët dhe bizneset, si reduktimi i përdorimit të makinave, përdorimi më i madh i transportit publik, ulja e konsumit të energjisë në shtëpi dhe biznese, si dhe rritja e efikasitetit energjetik për të përballuar periudhën e vështirë me të cilën pritet të përballemi.