Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Skaneri”, të ndërmarrë nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative për një rast kontrabande mallrash nga Maqedonia e Veriut, përmes pikës kufitare Bllatë. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë një 42 vjeçar, banues në Maqellarë, teksa po transportonte mallra të dyshuara të kontrabanduara, detergjentë dhe materiale paketimi, të cilat nuk ishin të pajisura me dokumentacion ligjor. Automjeti me të cilin u krye transporti u sekuestrua, së bashku me mallrat dhe një shumë parash në valuta të ndryshme.