Forcat amerikane kryen një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor lindor. Sulmi goditi një "anije të profilit të ulët që po kalonte përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e angazhuar në operacione të trafikimit të drogës", tha Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM) në një postim në X. Pavarësisht se e përshkroi atë si një "sulm kinetik vdekjeprurës", SOUTHCOM nuk dha një numër të viktimave, duke thënë vetëm se Roja Bregdetare u njoftua "menjëherë" për të kërkuar tre të mbijetuarit. Shtetet e Bashkuara filluan të shënjestrojnë anijet e dyshuara për kontrabandë në fillim të shtatorit dhe fushata ka vrarë më shumë se 150 njerëz deri më tani. Administrata e Presidentit Donald Trump këmbëngul se është në luftë me ata që i quan “narko-terroristë” që veprojnë në Amerikën Latine. Por nuk ka dhënë prova përfundimtare se anijet që synon janë të përfshira në trafikun e drogës, duke shkaktuar debat të nxehtë rreth ligjshmërisë së operacioneve. Uashingtoni ka vendosur një forcë të madhe në Karaibe, ku forcat e saj në muajt e fundit kanë goditur anije të dyshuara për kontrabandë droge, kanë sekuestruar cisterna nafte dhe kanë kryer një bastisje tronditëse në kryeqytetin venezuelian për të kapur udhëheqësin e majtë Nicolas Maduro.