Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimin e fundit të depozituar nga koalicioni i drejtuar nga Kujtim Gjuzi, lidhur me shpërndarjen e mandateve të deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Trupa gjykuese e cilësoi si të pabazuar në prova dhe fakte pretendimet e koalicionit të drejtuar nga Kujtim Gjuzi se në zgjedhjet e 25 prillit, nuk u respektua e drejta e votës së emigrantëve, ndaj edhe zgjedhjet e 25 prillit nuk duhen të legjitimohen, pasi me votën e emigrantëve rezultati i zgjedhjeve do të ishte i ndryshëm nga ai aktual. Vetëm pak ditë më parë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi certifikoi shpërndarjen e 140 mandateve të deputetëve të cilët do të ulen në Kuvend në shtator. Javën e ardhshme pritet që Komisioni Rregullator të certifikojë përfundimisht rezultatin e zgjedhjeve në rang kombëtar duke u dhënë fund përfundimisht ankimimeve të pafundme që erdhën fill pas përfundimit të numërimit të votave dhe bërja e tyre publike.