Mbyllja e hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një valë ndërprerjesh në transportin ajror global, duke bllokuar avionë, ekuipazhe dhe pasagjerë në disa prej nyjeve më të rëndësishme ndërkontinentale. Një ndër aeroportet e mbyllura është edhe ai në Dubai, një vend që zgjidhet nga shumë shqiptarë, teksa të dhënat nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” tregojnë se kjo situatë prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë. Gjatë vitit 2025, mbi 52 mijë pasagjerë udhëtuan drejt Dubait dhe rreth 38 mijë drejt Abu Dabit, duke e çuar totalin në afro 91 mijë udhëtarë mes Shqipërisë dhe Gjirit Persik. Trendin në rritje e konfirmojnë edhe shifrat e janarit 2026, kur vetëm për në Dubai udhëtuan 5,001 pasagjerë, 52% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo e bën mbylljen e papritur të hapësirës ajrore një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë për udhëtarët shqiptarë. Megjithatë, deri në këto momente, fluturimet nga Tirana drejt destinacioneve të tjera ndërkombëtare vijojnë normalisht dhe nuk raportohen anulime apo vonesa të lidhura me situatën në Lindjen e Mesme. Autoritetet po monitorojnë zhvillimet, ndërsa industria ajrore përballet me një nga ndërprerjet më të mëdha të viteve të fundit.