Notereja Sanja Telhallari reagoi pas sekuestimit të pasurive me vlerë tre milionë euro këtë të hënë. E pyetur nga Top Channel për këtë vendim, ajo tha se se vijon punën normalisht dhe se do të shprehet kur gjykata dhe prokuroria të kenë thënë fjalën e tyre. Ajo theksoi se e shkuara e bashkëshortit nuk mund ta prekë dhe se të ardhurat si notere i ka të gjitha të ligjshme. Nga hetimet e kryera nga prokurori Ndini Tavani ka rezultuar se gjatë 11 viteve, nga 2013 deri në 2024, 35 vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në në prej komplekseve më elitare në Tiranë. Noterja ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat, sipas prokurorisë, nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere. Një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, Klodian Porja i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.