"Le të shkojmë në luftë!" – bërtet Jorgo, 6 vjeç, i ndjekur nga kushëriri i tij më i madh, Minas, ndërsa të dy vraponin në oborrin e shkollës në ishullin e vogël grek, Thymaina, duke përdorur shkopinj si armë. Këta dy djem janë të vetmit nxënës të shkollës fillore në këtë ishull të largët të Egjeut lindor, i cili ndodhet 40 kilometra larg bregdetit turk. "Kur isha unë fëmijë, shkolla kishte pothuajse 70 nxënës," – kujton me nostalgji 77-vjeçari Manolis Mitikas, pronar i një lokali pranë portit, ndërsa luante tavëll. Ashtu si pjesa tjetër e Greqisë, edhe ky ishull, që dikur shërbente si strehë për piratët, po përballet me pasojat e plakjes së popullsisë. Ministria e Arsimit njoftoi se këtë vit do të mbyllë 43 kopshte dhe 32 shkolla fillore për shkak të numrit "shumë të ulët ose inekzistent" të nxënësve.