Gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka është e dënuar në Greqi. Në këtë përfundim ka mbërritur verifikimi i thelluar dyvjeçar i Prokurorisë së Përgjithshme, që pas përfundimit të këtij procesi i ka përcjellë gjetjet për vendimmarrje Këshillit të Lartë Gjyqësor. Prokuroria njofton se më 19 janar ka marrë vendimin për rastin e gjyqtares Irena Gjoka dhe po në të njëjtën ditë ka përcjellë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dokumentacionin e nevojshëm. Verifikimi në kuadër të ligjit të dekriminalizimit për gjyqtaren Irena Gjoka nisi më datë 8 maj të vitit 2024 pas akuzave se ajo kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit dëbimin dhe një dënim të gjykatave greke që e kishin shpallur fajtore për falsifikim dokumentacioni. Sipas dokumentave të publikuara nga mediat greke, Irena Gjoka është shpallur fajtore sepse në datën 24 dhjetor 2002 është kapur në pikën e kalimit kufitar të Kakavijë dhe gjatë kontrollit të pasaportës dhe dokumenteve të tjera shoqëruese rezultoi e falsifikuar.