Kuvendi është përballur me një sulm kibernetik, që ka pasur në fokus hakerimin e bisedave të deputetëve në postën elektronike. Sulmi ka ndodhur mbrëmjen e të hënës, rreth orës 21:00, ku, sipas Kuvendit, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës. Kuvendi sqaron se rasti tregon për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Nga analizat e para të ekipeve të IT të Kuvendit rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Ndërsa janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike, thotë Kuvendi, po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.