Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Irani është në prag të shpartallimit, por paralajmëron se forcat amerikane mund të përshkallëzojnë sulmet në mënyrë të tillë që vendi të bëhet 'pothuajse i pamundur' për t'u rindërtuar. "Ata janë pothuajse në fund të jetës", u tha Trump gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andreës. Më herët Trump foli për platformën e lajmeve axios dhe tha se "nuk ka pothuajse më asnjë objektiv për t'u sulmuar” në Iran dhe se fundi i luftës varet vetëm nga vullneti i tij. Sipas Trump, SHBA kanë bombarduar më shumë se 5.000 objektiva në Iran. Këto përfshijnë qendrat e komandës së Gardës së Revolucionit, sistemet e mbrojtjes ajrore, lëshuesit e raketave, vendet e programit bërthamor iranian, anijet dhe aeroportet ushtarake. Selitë e udhëheqësve politikë dhe fetarë janë sulmuar gjithashtu. Ajatollah Ali Khamenei u vra në një nga sulmet. Ndërkohë, biri i tij, Mojtaba, është emëruar pasardhësi i tij. Por objektivat e ndjekura nga qeveria amerikane me sulmet e saj janë reduktuar që nga fillimi i luftës. Ndërsa fillimisht fokusi ishte në ndryshimin e regjimit dhe shkatërrimin e plotë të programit bërthamor të Iranit, kohët e fundit qëllimi ka qenë të frenohen aftësitë ushtarake të Iranit. Sidoqoftë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i hodhi poshtë shpresat për një përfundim të shpejtë të luftës: "Ky operacion do të vazhdojë pa limit kohor, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të kemi arritur të gjitha objektivat tona dhe beteja të ketë mbaruar", deklaroi ai.