SPAK mbylli hetimet dhe çoi për gjykim ish-zyrtarin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Marvin Mersini, i cili akuzohet për korrupsion pasiv. Prokuroria thotë se nga hetimet e kryera ka provuar, që i pandehuri Marvin Mersini duke qenë me detyrën e Inspektorit pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor ushtronte kontrolle pa autorizim në subjekte të ndryshme tregtare dhe përmes presionit të gjobës u zhvaste para. Sipas dosjes së SPAK, në një rast Mersini i ka thënë administratorit të subjektit tregtar se “një problem i tillë” mund të zgjidhej nëse ai i jepte në dorë gjysmën e vlerës së gjobës, që shkonte deri në 1 milionë lekë.