Një adoleshent ka humbur krahun nga shpërthimi i një granate gjatë protestave në Francë, ku janë djegur shkolla dhe janë sulmuar mësues. Nxënësi 15-vjeçar dyshohet se ka marrë një granatë të policisë, e cila i ka shpërthyer në dorë në qytetin Lens, në veri të Francës. Ai ishte nxënës i shkollës së mesme "Behal" sipas mediave lokale. Prefekti i Lensit tha se ka nisur një hetim për këtë ngjarje të tmerrshme. Më herët gjatë mëngjesit të së hënës, mësues dhe nxënës mbetën të bllokuar brenda një ndërtese në flakë, pasi vandalët i vunë zjarrin një shkolle në Paris. Pamje tronditëse tregonin flakët që përfshinin hyrjen e shkollës së mesme "Vauquelin", dritaret e së cilës ishin thyer.