Ministria e Brendshme njoftoi hapjen e garës për pasuesin e Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit. Thirrja për aplikantët është publikuar në faqen zyrtare të ministrisë, ku sqarohen edhe kriteret, dokumentacioni dhe afatet për përzgjedhjen e kandidatit fitues. Kandidatët potencialë duhet të mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues në Policinë e Shtetit, që sipas ligjit janë drejtues dhe drejtues i parë. Të interesuarit duhet të plotësojnë formularin e dekriminalizimit, që duhet të shoqërojë edhe aplikimin me dokumentacionet e tjera të nevojshme. Dosja e kandidatit mund të dorëzohet online, ose përmes postës tradicionale bashkë me platformën për drejtimin e Policisë së Shtetit. Dokumentacioni i kërkuar nga ligji dhe platforma duhet të dorëzohen brenda shtatë ditëve. Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Punëve të Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.