Gjysmë miliardi dollarë baste në tregun e naftës u vendosën 15 minuta para se Donald Trump të thoshte se SHBA-të kishin zhvilluar bisedime "produktive" me Iranin dhe të njoftonte një pezullim të sulmeve mbi objektet e energjisë. Rreth 6,200 kontrata të ardhshme të naftës ndërruan pronar midis orës 6:49 të mëngjesit dhe 6:50 të mëngjesit të së hënës, vetëm një çerek ore para njoftimit të presidentit amerikan për "biseda shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive në Lindjen e Mesme", në Truth Social. Vlera e këtyre kontratave arriti në 580 milionë dollarë, raportoi Financial Times. Menjëherë pas postimit të Trump, indeksi amerikan i aksioneve S&P 500 u rrit dhe çmimet e naftës ranë nën 100 dollarë për fuçi, me tregjet optimiste se konflikti ndoshta do të merrte fund së shpejti. Irani mohoi se kishte patur ndonjë negociatë me SHBA-në, me kryetarin e parlamentit të vendit që akuzoi presidentin për manipulimin e tregjeve me komentet e tij. "Lajmet e rreme përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe ato të naftës dhe për t'i shpëtuar moçalit në të cilin janë bllokuar SHBA-të dhe Izraeli", tha Mohammad-Bagher Ghalibaf.